Takimi me Tusk, Rama synon hapjen e bisedimeve për anëtarësim më 2016

Edi Rama dhe Donald Tusk dolën në konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit në kryeministri.

“Presidenti i KE, miku im Donald Tusk erdhi në Tiranë për të diskutuar për sfidat e përbashkëta dhe sfidën e vendit tonë për procesin e integrimit”, tha Rama.

“Pa dyshim diskutuam edhe për kasaphanën e Parisit, e cila ishte një akt lufte, që barbaria xhihadiste i shpalli jo vetëm Francës por edhe mbarë botës.

Masakra e Parisit e uli shënjestrën e teroristëve në lartësinë e njerëzve të zakonshëm. Tani askush nuk është i sigurt, ky është mesazhi që na përcollën terroristët dhe kjo është edhe sfida jonë tani”.

Kryeministri shqiptar tha se nuk ka vend për panik dhe se jeta duhet të vazhdojë.

“Shqipëria nuk është as më shumë as më pak e kërcënuar se vendet e tjera. Jeta vazhdon, secili prej nesh duhet ta jetojë atë për ditë. Në Shqipëri është marrë çdo masë e mundshme dhe jeta duhet të vazhdojë normalisht. Nuk ka asnjë fakt apo informacion të caktuar se ne në Shqipërijemi më të kërcënuar se të tjerët”.

Rama tha se me Tusk foli edhe për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe krizën e refugjatëve.

“Çdo krizë është edhe një mundësi e re për bashkëpunim të ri. Ne nuk jemi pjesë e krizës, pasi Shqipëria nuk është në rrugën që ndjekin refugjatët, por jemi të gatshëm të luajmë rolin tonë.

Vendi ynë do të bëjë me përpikmëri detyrat e procesit të integrimit në BE, të cilat i kemi bërë dhe vazhdojmë t’i bëjmë jo se na i kërkon BE, por sepse na e imponin e mira e fëmijëve tanë. Raporti për Shqipërinë është vlerësim pozitiv për punën e bërë. Progresi duhet të shpërbejë si ndihmë për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm”, tha Rama.

Donald Tusk vlerësoi gatishmërinë e Shqipërisë për ndihmë në krizën e refugjatëve dhe në luftën kundër terrorizmit. Ai tha se e ardhmja e vendit është në BE, i cili “e vlerëson aleancën e vendit tuaj me vlerat e BE. Shqipëria është një partner i besueshëm i Bashkimit Europian. Është edhe besimin im se nuk ka asnjë alternativë tjetër për të ardhmen europiane të Shqipërisë”.

scroll to top