Të gjithë merren me BDI-në. Pse?

Çka bën BDI, në kohën kur të tjerët merren me të? Ajo po vazhdon të sillet si forcë normale politike, me përgjegjësi institucione dhe me prani të vazhdueshme në terren, atje ku buron edhe fuqia e saj. Pra, përderisa të tjerët merren me BDI-në, kjo e fundit po punon, është aktive me axhendën e saj dhe po mundohet t’u jep përgjigje sfidave që nxjerr koha.

Shkruan: Bujar Osmani*

Kur dikush merret me ty, këtë e bën ose nga xhelozia, ose nga admirimi, ose nga interesi, ose nuk nuk ka se me se tjetër të merret. Në Maqedoni gati të gjithë merren me BDI-në: edhe gazetarët, edhe opozitarët, edhe badihavxhinjtë, edhe sehirxhinjtë. Të gjithë këta mundohen t’ia gjejnë nga një behane BDI-së, por asnjëri prej tye nuk tregon se çka di të bëjë vetë, ose si do të punonte më mirë po të ishte në vend të BDI-së. Kjo e ka edhe një të mirë, sepse për të gjithë këta BDI po shërben si motiv dhe si “apertitiv” për të thënë diçka publikisht, ndërkohë që ata vetë nuk prodhojnë kurrfarë lajmi, sepse puna e tyre prej mëngjesit e deri në mbrëmje, është të merren vetëm me BDI-së dhe me asgjë tjetër.

Po çka bën BDI, në kohën kur të tjerët merren me të? Ajo po vazhdon të sillet si forcë normale politike, me përgjegjësi institucione dhe me prani të vazhdueshme në terren, atje ku buron edhe fuqia e saj. Pra, përderisa të tjerët merren me BDI-në, kjo e fundit po punon, është aktive me axhendën e saj dhe po mundohet t’u jep përgjigje sfidave që nxjerr koha.
Në krejt këtë proces të zhvillimit politik, BDI në asnjë çast nuk e ka harruar objektivin e saj madhor: të përfaqësoj denjësisht interesat e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe të vazhdojë me këmbëngultësi që këtë mision ta ngrej në platformë zgjedhore në periudhën që pason. Nëse është e vërtetë thënia se ata që punojnë, kanë të drejtë edhe të gabojnë, kjo nuk e përjashton as BDI-në, prandaj kritikuesit e saj është mirë të flasin për gabime e jo për mëkate, të flasin për dukuri e jo për mistere të padukshme, sepse nga mënyra se si flasin ata fitohet përshtypja se BDI është përgjegjëse edhe për ndryshimet klimatike, edhe për mungesën e ajrit në zonat e caktuara të hemisferës, edhe për pakësimin e bletëve në mbarë botën, etj.

E kuptojmë frustrimin e atyre që përfaqësojnë organizimet politike e parapolitike, dhe që nuk mund të marrin përkrahjen e duhur popullore, por nuk e kuptojmë një kategori përfaqësuesish të opinionit publik, të cilët janë bërë zgjatime të axhendave të caktuara politike, por pa e deklaruar këtë publikisht. Këta të fundit po e keqpërdorin misionin e opinionistëve, duke u bërë oficerë të padukshëm të ideologjive të caktuara partiake, dhe kjo do të ishte krejt normale sikur kritikat e tyre të kishin një bazament argumentues. Por, kur ndodhë që pikëpamjet e tyre janë më tepër politike, se sa profesionale, më tepër subjektive se sa parimore, atëherë rezulton se problemi kryesor i tyre nuk është gjendja e shqiptarëve, por suksesi i BDI-së.

Kjo mendësi e çoroditur ka prodhuar edhe situata absurde, si ajo në Manastir, kur prej një detaji minor krijohet një mizanskenë kolektive, me konotacion denigrues e frustrues dhe aspak objektiv. Shpërndarësit e bindjeve të rrejshme, harrojnë se këtë popull nuk mundesh aq lehtë ta manipulosh, duke e baltosur BDI-në. Përkundrazi, goditjet që i drejtohen asaj po kthehen në bumerang dhe BDI me këtë po i bind të gjithë se fuqia e saj po shtohet jo duke qëndruar komod në kolltuk të butë, por duke marrë goditje nga më të paskrupulltat.

A duhet të kursehet BDI nga kritikat? Asesi jo. Ajo, si të gjithë përbërësit e jetës politike e demokratike, duhet të mësohet me kritika dhe nga kritikat të nxjerrë mësime. BDI nuk është imune ndaj dukurive që e bëjnë atë të duket keq ndonjëherë në sytë e publikut. Por, është kryetari i saj Ali Ahmeti ndër liderët e rrallë që disa herë ka ftuar publikisht mediat, publikun dhe gjithë të interesuarit që të raportojnë për shkeljet dhe parregullsitë eventuale që mund të bëjnë funksionarët e tij. Në mendësinë e z.Ahmetit, është një kulturë politike e cila nuk i konsideron të pazëvendësueshëm funksionarët partiak, qofshin ata të niveleve të ulta apo të larta. Prej këtu buron edhe habia e tij kur dëgjon nganjëherë që dikush prapa shpine, ose pasi ta ketë braktisur BDI-në, të thotë ndonjë krtitikë, edhe përkundër faktit se atë ka mundur ta thotë hapur brenda strukturave partiake dhe për të të mos pësojë kurrfarë sanksionimi.

Me BDI-në do të vazhdojnë të merren ende, kurse e gjithë kjo punë duhet ta ketë një rezultat përfundimtar: ose BDI të korrigjohet nga kritikat e shumta, ose kritikuesit të binden se kritikat e tyre nuk dhanë rezultatin e pritur. Praktika ka dëshmuar se më tepër ka ndodhur kjo e fundit, dhe për këtë duhet ta pyesin vetveten ata të cilët jo rrallë mizën e bënë bullë dhe nga druri nuk mundën të shohion një pyll të tërë. Është koha që llogari të mos japin vetëm ata që përfaqësojnë politikisht interesat e popullit, por edhe ata që fshehin bindjet e tyre politike dhe bëhen se po përfaqësojnë interesat e publikut. Kur të ndodhë edhe ndëshkimi i tyre publik, atëherë mund të themi se po i shijojmë vërtetë frytet e demokracisë së shumëndërruar.

*Autori është zëdhënës i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI)

scroll to top