Terrorizmi:Tirana dhe Moska në shënjestër

Tirana dhe Moska janë dy kryeqytetet europiane më të rrezikuara nga sulmet terroriste të Shtetit Islamik, ISIS. Alarmi ekstrem, i marrë nga shërbimet e huaja inteligjente, është analizuar dhe përcjellë nga Shërbimi Informativ Shtetëror, drejt organeve të tjera të ruajtjes së rendit dhe sigurisë.Menjëherë pas këtij alarmi të zyrtarizuar dhe protokolluar nga Shërbimi Informativ, janë informuar dhe drejtuesit më të lartë të shtetit, si dhe ato të policisë.

Këta të fundit urdhëruan, një ditë më parë, kalimin në gatishmëri të plotë të të gjithë efektivëve të forcave të rendit. Shteti dhe qeveria ruse janë kërcënuar disa herë për sulme nga ISIS për shkak të fushatës së bombardimeve që Presidenti Putin po përdor kundër kalifatit islamik. Por, vënia e Tiranës në të njëjtin nivel rreziku sa Moska, ishte një surprizë, jo vetëm për Shërbimin Sekret Shqiptar, por edhe për vetë shërbimet sekrete të huaja, të cilat ua kanë përcjellë këtë informacion kolegëve shqiptarë.

Kërcënimi ndaj Shqipërisë në fakt është bërë i njohur prej kohësh nga vetë eksponentët shqiptarë të ISIS, që në muajt e verës që shkoi. Të marra fillimisht jo me aq seriozitet, kërcënime të tilla tashmë janë në top listën e axhendës së Shërbimit Informativ Shtetëror, që ka lajmëruar Policinë e Shtetit të marrë masa parandaluese.Sheshe, rrugë, mjete apo stacione të transportit urban, vende të mbipopulluara, ashtu si edhe vetë efektivët apo godinat e policisë, janë vendet kryesor, që mund të synojnë elementët terroristë. Ndaj dhe vëmendja më e madhe duket se është përqendruar pikërisht këtu. Këto vende po monitorohen ditën dhe natën.Në sinjalizimin e SHISH, nuk lihet pa përmendur edhe rreziku që mund të kenë institucione publike, si shkollat apo spitalet. Për këtë arsye, shërbimet inteligjente, në varësi të situatës, kanë sugjeruar edhe shkurtimin e orëve të mësimit, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes.

scroll to top