Thaçi godet Brukselin

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur zhgënimin e tij të thellë me vonesat e BE-së për çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shkruar se këtë vonesë e konsideron provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të lidershipit në Bruksel.
“Sot Këshilli i Bashkimit Evropian bëri publike konkluzionet e pakos së zgjerimit”.
“Përderisa i jemi mirënjohës BE-së për nënshkrimin e MSA-së, unë shpreh zhgënjimin e thellë për vonesat e pakuptimta të BE-së për liberalizimin e vizave. Këtë vonesë të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën e konsideroj provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të lidershipit në Bruksel”.
“Për mua është marrëzi nga ana e BE-së, që të mbajë të izoluar kosovarët. Këto vonesa absurde dhe të qëllimshme, jo vetëm që nxisin ekstremizmin në vend, por e rrisin edhe frustrimin tek qytetarët e Kosovës”.
“Për më tepër, kjo qasje e BE-së është duke rrezikuar të gjitha proceset e rëndësishme në vend, përfshirë edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimin e marrëveshjeve dhe arritjen e marrëveshjeve të reja. Prandaj, konsideroj që BE-ja duhet t’i jap fund këtij trajtimi diskriminues kundër Kosovës dhe kështu të jap ndihmën e saj për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”.
“Përkundër kësaj, durimi i ynë do të jetë më i fuqishëm se paaftësia e Brukselit. Por, Kosova nuk guxon të diskriminohet edhe më tej vetëm për shkak se nuk është si Kolumbia dhe Ukraina. Good luck EU!”, ka shkruar Thaçi.

scroll to top