Ti nuk je fajtor

Qeveria e Kosovës ka humbur navigatorin. Për ta qetësuar opozitën, sjell një komision ndërkombëtar, që do të vërtetojë se rikufizimi me Malin e Zi, ishte në rregull.
Dhe ti si njeri normal, natyrisht pyet veten, ata komisionarë që vijnë nga veri, jugu apo perëndimi, që kanë edhe vështirësi për ta gjetur Kosovën në hartë, dinë më mirë se ti kufijtë tanë me Malin e Zi? Ata natyrisht do të marrin hartat e Qeverisë dhe do ta shëlbojnë atë nga të gjitha mëkatet.

Ata janë në pushtet dhe mund të sjellin edhe një tjetër komision nga vendet baltike, të beneluksit e vendeve tjera europiane, që do të konfirmojnë se Bashkësia Serbe, është përparim i madh për Kosovën, por, një bashkësi e tillë për Luginën, do t’ishte shumë e dëmshme për shëndetin e shqiptarëve dhe për Ballkanin.

Pinjollët e Millosheviqit po themelojnë autonomi në Kosovë duke ndaluar abetare shqipe në Luginë. Mustafë Hashimi po e përligj autonominë, sepse din mirë se na kanë përplasur në anën e kundërt nga ajo që ishim. Perëndimi dëshiron autonominë. Këtë duhet ta kuptojmë, sepse sot shumë prej tyre janë bindur, se neve nuk na duhej shteti dhe se ne më shumë do ta kishin adhuruar shtetin serb, se sa atë të Kosovës. Këtë dëshmojnë gjithë milionerët e Kosovës: Gjykatat, Policia, Prokuroritë, Universitetet dhe Akademia e Barinjve të Kosovës.

Burgosja e Albin Kurtit ka vetëm një detyrë: të mundësojë ndërtimin e Bashkësisë Serbe.

Dhe ti si njeri normal që je, pyet veten: pse Isa Mustafa të jetë në krye të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe pse lejon ai Hashim Thaçin, irredentistin e djeshëm, të jetë ministër?

Ti je njeri normal, kupton mirë, por gjithmonë pret se dikush tjetër do të zgjidhë problemet tua: papunësinë, drejtësinë dhe shteti ligjor do të ndërtohet me hajna, kurse korrupsioni, do të luftohet nga banda e korruptuar. Ti ke të drejtë të shpresosh. Ke të drejtë edhe të mendosh, ketë të drejtë edhe të merreshe me fantazi, por problemet tua nuk do të zvogëlohen, përkundrazi, emigrimi jot po përgatitet. Sepse ti akoma shpreson se zgjidhja si dhuratë, si edhe republika.

Ti je llastuar dhe nuk punon as tokën, por duke shfrytëzuar djemtë në Perëndim, blen produkte serbe dhe ndihmon ekonomikisht atë që pa SHBA-të, brenda 24 orëve do të hidhte ty në Bllacë apo në Kukës. Ti nuk ke faj mirëpo. Nuk ke faj sepse je halitur të presësh paratë shtrirë në kokërr të shpinës dhe të bësh tërë ditën politikë. Ti je i papunë, por nuk ke kohë ta punosh as kopshtin tënd.

Ti kënaqesh natën duke pirë çaj dhe duke përrallisur për politikanët e pafytyrë, për tarafët. Më shumë mirëpo nuk të duhet. Mjafton se ti flet dhe je i bindur se dikush tjetër do të flijohet për jetën tënde më të mirë. Pastaj çuditesh, pastaj habitesh, pastaj tmerrohesh, pastaj nuk të zë gjumi, pse situata nuk po përmirësohet.

Ti nuk ke faj mirëpo. Nuk ke faj sepse nuk mund të lirohesh nga përtacia kronike. Edhe politikanët tu nuk kanë faj, që sillen si politikanët serb, që vjedhin si ata apo më shumë, që burgosin si ata dhe që mbajnë në pushtet ata që i konvenojnë, poshteni albanci, shqiptarët e ndershëm vetëm, që me zvarritjen, do ta fitonin vendin e parë në botë. Nëse politikanët tanë zvarriten barkas dhe lëpijnë, ti zvarritesh në kokërr të shpinës prej shilteje në shilte apo prej divani në divan dhe bën politikë, jo vetëm se bën politikë, por je i bindur se je më i mirë se çdokush tjetër.

Prandaj, mos u shqetëso, vazhdo jetën ashtu se pas çdo shembje bëhet një rindërtim, se sa dhe si do ta paguash ti rrënimin, do ta kuptosh duke parë jetën e fëmijëve tu, ose duke i përcjellë tek stacioni i trenit dhe i autobusit. Pse? Sepse ti je kënaqur duke bërë muhabete politike dhe duke pritur se se dikush tjetër duhet të mësojë ty ecjen, jo vetëm ecjen, por duhet t’i blejë ty edhe këpucët. Ti nuk ke faj, sepse je mësuar që një të punojë dhe dhjetë të hanë dhe nuk të bren ndërgjegjja, atë nuk e posedon, se je duke ngrënë ardhmërinë e nipave.

Kjo mirëpo nuk është asgjë, tragjike është se ti ke duruar të kriminalizohet republika. Nga kriminelët e huaj u çliruam, por si të çlirohemi nga kriminelët tanë kur i kemi në krye, nëpër gjykata dhe në prokurori? Vetëm kur të tregosh se adhuronin shtetin; që e ke paguar shtrenjtë: me gjak, me dhunim të grave dhe me shumë poshtërime tjera.

scroll to top