Trajneri i Real Betisit: Barcelona nuk duhet ta rrezikojë Messin kundër nesh

Trajneri i Real Betisit, Quique Setien, e ka këshilluar Barcelonën të mos e rrezikojë yllin e skuadrës, Lionel Messin, në ndeshjen mes tyre, pasi që ai duhet të marrë pushim edhe më shumë për t’i shmangur pasojat edhe më të rënda.

Barcelona do ta presë në Camp Nou Real Betisin këtë fundjavë për ta zhvilluar ndeshjen e vlefshme për xhiron e 12-të të La Ligës. Kjo ndeshje do të zhvillohet të dielën në orën 16:15, përcjell Gazeta Express.

 

Messi ishte lënduar më 20 tetor në ndeshjen kundër Sevillës, kur e kishte thyer krahun e djathtë pas një përplasjeje më një lojtarit të kundërshtarëve. Ai nuk pritej të kthehet deri në fund të nëntorit, megjithatë tani raportohet se ai do të luajë në ndeshjen e fundjavës, pasi udhëtoi me skuadrën e Barcelonës për ndeshjen që u zhvillua dje, kundër Interit.

 

Argjentinasi mund të jetë shumë afër shërimit dhe kthimit në futboll, megjithatë trajneri i ekipit kundërshtar të radhës, Setien, beson se Barcelona nuk duhet ta rrezikojë Messin, përkundër që ai do të donte ta shikonte argjentinasin duke luajtur.

 

“Mendoj se Messi duhet të presë, unë nuk do ta rrezikoja atë. Menjëherë pas kësaj ndeshje do të fillojnë ndeshjet e kombëtareve dhe ai do t’i ketë edhe dy javë të tjera për të pushuar”, ka thënë Setien.

 

“Çfarëdo rrëzimi gjatë ndeshjes mund të nxitë ndonjë problem serioz dhe mund të rezultojë me pasoja të rëndësishme. Ata janë duke bërë një punë të mirë edhe pa të, kështu që nuk ka nevojë ta rrezikojnë atë. Por, unë do të doja ta shoh atë në fushë pasi që është kënaqësi ta shohësh atë duke luajtur”. /Gazeta Express/

scroll to top