Tramezzani: Hysaj, ndër më të mirët në rolin e tij

Paolo Tramezzani, ndihmësi i De Biasit në Kombëtaren Shqiptare e vlerëson Elseid Hysajn si nga futbollistët më premtues anësorë në aspektin mbrojtës.

Në një prononcim për mediat italianë në prag të kryendeshjes së javës së 14-të të Serisë A, Napoli-Inter, pjesëtari i stafit kuqezi, theksoi se 21-vjeçari ka ende shumë për të mësuar dhe me cilësitë që ka mund të shndërrohet nga lojtarët më të mirë në qarkullim në rolin e tij.

Duke analizuar formën që po kalojnë dy skuadrat që kryesojnë Serinë A, 45-vjeçari tha se “Napoli i sotëm është shumë i bukur për t’u parë. I ka idetë e qarta dhe nuk gabon lehtë. Shumë futbollistë po japin më shumë se ç’pritej nga ata në fillim të sezonit. Si përshembull Hamsik, që nuk kishte luajtur në këto nivele te napolitanët, apo Jorginhon, që është ardhmja e kombëtares italiane“. Tramezzani veçoi edhe Allan, ndërsa për dy mbrojtësit qendrorë, së bashku me ata të Interit, u shpreh se janë më të mirët e kampionatit, shkruan SuperSport.al.

Për Roberto Mancinin ndihmësi i De Biasit theksoi se është një trajner i zoti dhe po e përgatit me shumë kujdes skuadrën për sfidën me Napolin për ta vënë nën presion kundërshtarin.

scroll to top