“UÇK” e Ali Ahmetit ia drejton “pushkën” kushtetutës diskriminuese (?!)

Paralajmërimet e para disa javëve për ndryshimin të butë apo ndoshta edhe radikal të qëndrimeve të partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni, BDI, ndaj kushtetutës ende në fuqi të Maqedonisë, duket se po shndërrohen në strategji konkrete për të cilën tashmë është duke u punuar konkretisht për zbatimin e saj.

Nga radhët e BDI-së porosisin se “ekistojnë dy forma/lloj përmbajtjesh në xhepin” e Ali Ahmetit dhe njerëzve të tij  për rregullim kushtetues të ri në Maqedoni.

Modeli i Belgjikës apo edhe ai Zvicrrës, janë duke u analizuar  paralelisht nga radhët e partisë së Ali Ahmetit.

Burime perëndimore në Bruksel thonë për Zhurnal.mk se tashmë kanë informata se Ali Ahmeti dhe rrethi i tij më i ngushtë janë duke shqyrtuar mundësinë që si alternativë të dytë edhe më radikale mund të jenë kushtetutat belge dhe zvicerane të cilat bazohen në ndarjen e vendit dhe të pushtetit edhe në baza etnike territoriale dhe administrative/qeverisëse si në shtetin mikpritës të Bashkimit Evropian  dhe Zvicërr – populli i së cilës refuzon që vendi të anëtarësohet në BE.

Këtyre ditëve udhëheqësit më të lartë të BDI-së thuhet t’i kenë specifikuar elementet kyçe të masave për zbatimin e strategjisë për opsionin e parë – më të butë se sa ai belg dhe zviceran – për të detyruar partitë maqedonase në pushtet dhe opozitë që këto ndryshime të kushtetutës të ndodhin para zgjedhjeve të Prillit.

Dështimi i kërkesave të gjata të BDI-së – ende të pa bëra publikisht krejtësisht – për shkak të rezistencës nga VMRO-DPMNE dhe LSDM mund të çojë Maqedoninë në krizën më të ndërlikuar ndër-etnike deri më tash që nga viti 2001.

Mirëpo BDI nuk është e vetmuar në këtë synim dhe përvjelje duarsh për të hequr qafe Marrëveshjen e Ohrit (MO) të bllokuar nga maqedonasit e për të ndërtuar një kushtetutë të re me të drejta të barabarta për tërë qytetarët e vendit.

Sipas burimeve të nga Qendra për Informim e BDI-së pjesë e kësaj strategjie tashmë janë bërë edhe zyrtarë të ndryshëm edhe kryeqendrat e vendeve më të mëdha të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tij në Bruksel.

Mënyra e përfshirjes së tyre në këtë strategji dhe plan të menduar dhe hartuar nga vet BDI dhe shefi i saj Ali Ahmeti, niset konkretisht me përfshirjen e diplomatit holandez Pieter Feith ( i paguar nga buxheti i shteteve te BE-se përmes Institutit Evropian të paqes (ang. EIP), i cili së bashku me BDI-n” janë duke deshifruar defektet e Marrëveshjes së Ohrit me të cilat kanë manipuluar nacionalistët e VMRO-DPMNE-së dhe shefi i tyre Nikolla Gruevski për të bllokuar zbatimin e MO-së nga viti 2006 me ardhjen e tyre në pushtet.

Ky institut së bashku me negociatorët e BDI-së, të udhëhequr nga zv/kryeministri z. Musa Xhaferri tashmë janë në përfundim e sipër të analizës së këtyre defekteve e ndërkohë edhe të rekomandimeve konkrete që shkojnë përtej Marrëveshjes së Ohrit 2001 dhe synojnë rishikimin dhe ndryshimin radikal të kushtetutës aktuale.

Këto rekomandime kanë të bëjnë drejtpërdrejt, me ndryshimet e nevojshme për të garantuar njëherë e përgjithmonë të drejtat e barabarta jo vetëm të shqiptarëve, por dhe të pakicave tjera (turqve, vllehve, serbëve….).

Në BDI thonë se mbështetje të fuqishme nevojës për analizën dhe rishqyrtimin e mangësive dhe problemeve që janë paraqitur me MO i japin edhe zyrtarë të lartë të Brukselit, madje edhe institucionet relevante përfshirë këtu Komisionin Evropian.

“Analiza e marrëveshjes së Ohrit është kërkesë e Komisionit Evropian e Qeverisë dhe Bashkimit Demokratik për Integrim. Ajo po ashtu është edhe kërkesë edhe ekspertit nga Gjermania Reinhard Pribe (ish-Drejtor i Departamentit të Komisionit Evropian për Siguri  në Ballkan e pastaj edhe për zgjerimin e BE-së).

“Kjo analizë sasiore por edhe cilësore në të njëjtën kohë për Marrëveshjen e Ohrit e me përplot rekomandime pritet që të bëhet për herë të parë në konferencën e mesit të dhjetor-it dhe në të njëjtën të miratohen konkluzione se çka duhet vepruar tutje pa vonesë…”, sqarojnë nga Qendra për informim e BDI-së.

Nga partia e Ali Ahmetit – të lodhur e të frustruar nga shqelmat 14-vjeçar diskriminues politik, ekonomik, social …etj ndaj shqiptarëve thonë se kërkesë e palëkundur në këto nga konkluzione do të jetë zyrtarizimi i gjuhës shqipe në nivel shtetërorë dhe në tërë territorin e Maqedonisë, e jo vetëm në komunat ku shqiptarët janë shumicë.

Sipas burimeve nga BDI, do të kërkohet që njëherë e përgjithmonë të rregullohet përdorimi zyrtar i pakufizuar i gjuhës shqipe nëpër ministritë, drejtoritë dhe institucionet tjera shtetërore e publike të nivelit qendror dhe lokal.

“Kjo kështu në mënyrë që njëherë e përgjithmonë t’i jepet fund kapitullit të zvarritjeve dhe kufizimeve 14 vjeçare që i janë bërë deri më tash gjuhës shqipe,” thonë anëtarë të lartë nga BDI.

Në listë të rekomandimeve dhe kërkesave pritet që të hyjnë edhe përfaqësimi i drejtë  (proporcional) dhe adekuat i shqiptarëve në disa institucione si në gjykata, prokurori, bankën popullore, drejtorinë e të hyrave publike dhe institucione tjera relevante në shtet, i cili përfaqësim në nivelin e përgjithshëm tashmë ka arritur në 18.6 por është bllokuar nga Gruevski për të mos arritur në 25 përqind.

“Përfaqësimi i drejtë është një nga prioritetet më të larta të BDI-së së Ali Ahmetit”, thonë nga BDI.

“Lista e kërkesave vazhdon edhe me decentralizimin e ri të nevojshëm të pushtetit në komunat me shumicë shqiptare, thënë ndryshe bartjen e një morie kompetencash nga qeveria deri tek komunat,” thotë një bashkëbisedues tjetër nga radhët e BDI-së.

Në ato komuna ku ka shumicë shqiptarë, decentralizimi është sipërfaqësorë pasi gjithë buxheti kontrollohet nga qeveria dhe deri më tash ato nuk kanë gëzuar kompetencat në disa sektorë si në kadastër dhe të njësiteve rajonale të ministrive përkatëse, sqaron i njëjti në bisedë me Zhurnal.mk

Problematikë tjetër është edhe çështja e diskriminimit. Shqiptarët edhe pas 14 viteve e kanë ngritur këtë temë të nxehtë për shkak se nuk ndihen të barabartë para ligjit, vazhdon të flas bashkëbiseduesi i parë nga radhët e partisë së Ali Ahmetit.

Ndërkohë, një pjesë e këtyre rekomandimeve të pritura për në konferencën e dhjetorit e të paraqitura më lartë, tashmë kanë filluar që të publikohen edhe nga mjetet maqedonase të informimit, të cilat haptazi me reagime të tyre negative reflektojnë disponimin jo të mirë por edhe të hutuar të tyre për “kryengritjen moderne” të BDI-së, dhe krerëve të saj ndaj presioneve  14 vjet rresht të perëndimorëve për ruajtjen e stabilitetit te Maqedonisë në dëm të të drejtave të shqiptareve të injoruar dhe të denigruar nga Gruevski dhe partia e tij përgjatë tërë këtyre viteve.

“Duhet të nënshkruhet komunikim i garantuar në gjuhën amë për pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Maqedoni, pa pasur parasysh vendbanimin dhe kriterin prej 20 % në vendbanimet në nivel lokal. Edhe për komunitetet më të vogla duhet të bëhen ndryshime të ligjit për gjuhët, me të cilin komunikimi me njësitë rajonale të ministrive të ndërlidhet me vetëqeverisjet lokale duke shmangur kriterin prej 20 % në vendbanimet në nivel lokal. Në këtë formë do të mundësohet ko-ekzistencë në përdorimin e gjuhëve të pakicave më të vogla mes nivelit qendror dhe lokal,“ kjo është një pjesë nga rekomandimet e analizës të përpunuar nga ana e Institutit Evropian për Paqe  të drejtuar nga ndërmjetësuesi në konfliktin e vitit 2001 Pieter Fejt, njofton portali në gjuhën maqedonase “MKD”.

Portali në fjalë ka shkruar dje (19 nëntor) se çështja kryesore e kësaj analize të përbashkët (BDI – EIP) është ligji për gjuhët i cili duhet ndryshuar, por kësaj here jo pas zgjedhjeve duke e lutur VMRO-DPMNE-në, por duke filluar dhe garantuar atë që nga reformat kushtetuese, në pritje.

Kjo analizë dhe rekomandimet BDI-EIP do te synojnë ndryshime drejtpërdrejtë në kushtetutën, për të kaluar pastaj në parlament për miratimin e ligjeve të reja për  përdorimin e plotë të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare bashkë me maqedonishten , por dhe atyre të tjera jo-maqedonase varësisht nga pakicat.

Një nga këto rekomandime, shkruan “MDK” është ndryshimi i neneve 29 dhe 30 të ligjit për gjuhët.

Këto rekomandime do të godasin drejtpërdrejt edhe kriterin kyç të 20%,  i cili deri më tash e kufizoi përdorimin e plotë të gjuhës shqip, vetëm në komunat ku shqiptarët përbëjnë më shumë se 20%.

Rekomandimi pritet që të ndryshojë kushtetutën në atë mënyrë që kjo përqindje të zhduket nga kushtetuta definitivisht.

Ky opsion me fjalë të tjera do të duhet ta bënte (nëse miratohet nga parlamenti) gjuhen shqipe, gjuhë të dytë zyrtare paralel me maqedonishten) në tërë territorin e Maqedonisë dhe në të gjitha institucionet qendrore të vendit dhe të shtetit, ato publike e deri tek ato komunale.

E si do të mund  BDI ta detyrojë parlamentin VMRO-DPMNE-LSDM në njërën anë të grupit maqedonas, e në tjetrën anë me deputetët shqiptarë nga opozita për t’i sjellë Maqedonisë një kushtetutë të re, këtë duhet pritur për ta mësuar në fillim të vitit të ardhshëm.

“Rezistencat eventuale të palës maqedonase – VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së  – do të dërgonin ujë në mullirin e opsionit të dytë. Ne mund t’ua lëmë zgjedhjen vet atyre po deshëm të jemi zemërgjerë”
, thonë me pakëz ironi anëtarë të lartë të BDI-së të frustruar me shqelmat 14 vjeçar të nacionalistit konservativ Nikolla Gruevski.

scroll to top