Vetëvendosja e di edhe për Kancelaren Merkel

Nga Ballsor Hoxha

Çdonjëri prej nesh që jetojmë në Kosovë mund të jemi viktima të dramave që po i përjetojmë, dhe pikërisht për këtë të mos jemi të logjikshëm në atë që mendojmë, presim dhe bëjmë. Pikërisht unë mund të jem edhe më i Marrë (literalisht) nga rrymat e asaj që po ndodh në politikën kosovare, dhe mund ta kem gabim në çdo gjë që shkruaj qe sa vite. Mirëpo, po ashtu logjikisht, nëse sekretari i shtetit të një vendi si SHBA vjen (pavarësisht edhe mijëra dhe qindra arsyeve të tjera të vizitës së tij) në Kosovë dhe me vetëm një porosi, kjo është gjëja më e madhe, gjëja më e rëndësishme dhe gjëja më premtuese pikërisht për neve, të barturve, të marrëve (literalisht) dhe të infiltruarve dhe të revolucionarizuarve. Kjo është dëshmia e mundësive reale tona, jo pse duhet t’i nënshtrohemi SHBA-së, por, se ne jemi të nënshtruar si popull, pikërisht ndaj injorancës sonë, dhe nuk mund të dalim jashtë këtij ferri pa SHBA dhe BE-në. Më lejoni ta shpjegoj këtë me disa detaje shumë banale, por edhe që kanë kaluar në marrinë e tyre aferën Pronto. Në një intervistë të një prej “intelektualeve” të Vetëvendosjes ajo po i bënte porosi ambasadorit të SHBA-së në Kosovë. Ajo ia përmendte aferën e “Watergate” të ish presidentit të korruptuar të SHBA Richard Nixon, të ndodhur diku në vitet e 60 të shekullit të kaluar. Shih, afera e Pronto mafisë sigurisht është një prej gjërave më të flliqta që i ka ndodhur fytyrës sonë kolektive si popull, por ne si duket jemi të prirur për afera të këtij lloji. Më lejoni të vazhdoj edhe me një shembull, pikërisht e njëjta intelektuale disa muaj më herët tregonte në televizion po ashtu (jo para shoqeve të saj duke pirë çaj, apo duke korruptuar shefa të sigurimit) fliste për “kushtëzimin” e Zonjës Merkel nga dy tregtarë (metaforik) që e detyrojnë Kancelaren Merkel për të vepruar si ndaj Kosovës si ndaj çdo kujt tjetër. E pra afera Pronto është shumë më e vogël në budallakinë dhe fëlliqësinë e saj në krahasim me këtë të menduar të Vetëvendosjes. Vetëm sa për ilustrim, afera Pronto ka dalë prej telefonatave privat, dhe kjo që po ndodh prej Vetëvendosjes është duke ndodhur para televizioneve kombëtare. Kjo është tejpërtej aferës Pronto në një fëlliqësi të çmendur. Jam i sigurt që zonja (apo zonjusha) tërë atë që di për aferën e “Watergate” është nga ndonjë film, po ashtu të Amerikës, që sigurisht nuk ka pasur kohë ta shikoj deri në fund, por e ka parë vetëm fillimin. Jam i sigurt që nuk ka asnjë argument të vetëm për “veprimin e kushtëzuar” të Zonjës Merkel , përpos nga filmat kriminelo-politiko-paranojak të kategorisë zibidi. Vetëm shkurt, sipas asaj që po i tregon popullit (dhe ndoshta edhe po e “emancipon”) tërë bota është një fëlliqësi e tmerrshme ku vetëm Vetëvendosja i di këto gjëra dhe është duke e luftuar tërë botën. E po nuk është edhe shumë e çuditshme pse gjuhet gaz lotsjellës në kuvend me këso revolucionare krenare dhe analiste globale të tërë politikave botërore. Por kisha dashur ta përkujtoj këtë zonjë intelektuale që pikërisht sivjet revista prestigjioze Time e ka zgjedhur pikërisht Kancelaren Merkel për personin e vitit për tërë botën (apo ndoshta ata dy tregtarët e kanë paguar revistën Time për këtë gjë, hahahaha). Arsyeja e tërë këtij paragrafi të gjatë në këtë opinion është shumë më e thellë dhe më tragjike, se sa afera e emancipimit të popullit nga Vetëvendosja. Ka të bëjë me helmimin (jo vetëm me gaz lotsjellës, por me gjëra shumë më të rrezikshme) të jetës në Kosovë. Pikërisht Vetëvendosja flet për Republikën , për mbrojtjen e saj, për luftën e saj për Republikën. Por nuk është fjala për Republikën e Kosovës të njohur nga shtetet më të fuqishme në botë, ata e kanë fjalën për një republikë tjetër, më saktësisht atë të Ukshin Hotit. Republikë që është tërësisht në kundërshtim me tërë atë që është arritur deri këtu dhe deri më tash. Dhe doemos kur mendohet për një republikë të këtillë çdo gjë tjetër, dhe çdonjëri prej nesh jemi tradhtarë dhe kjo Kosovë e tanishme është një tradhti. Por t’i kthehemi helmimit të jetës: deri këtu jeta kosovare ka qenë tërësisht dhe rrënjësisht e ditur si një kompromis i pamundësisë së një Kosove Republikë para se këta vetëvendosës të kishin vendosur të na emanciponin. Deri këtu të gjithë e kemi ditur, dhe e kemi pranuar p.sh. flamurin e Republikës së Kosovës, jo pse kemi një lidhje me shënjimin e tij, por se kemi një lidhje me këtë status që e shënjon pikërisht ky flamur. Se pikërisht sakrifica e secilit prej nesh që e kemi jetuar Kosovën Millosheviqiane ka pasur mundësi të shkoj huq nëse nuk pranohej kjo Kosovë e Sotshme. Deri këtu të gjithë shqiptarët e Kosovës (e edhe të tjerët) kanë pasur shumë më shumë aspirata dhe shumë më shumë dëshira, por dhe të gjithë e kishim kuptuar pamundësinë e një aspirate në këtë kohë dhe me këtë që kemi. E pikërisht për shkak se ne kemi pasur për bashkëluftëtar SHBA-të dhe Be-në ndaj Serbisë, kemi pranuar të udhëzohemi nga këta dhe shtetet mike të Kosovës Republikë. Dhe Vetëvendosja ka filluar të veproj pikërisht në helmimin e kësaj lufte të përbashkët që e kemi bërë. Pastaj edhe një shembull tjetër i helmimit të jetës në Kosovë, ka të bëjë me harxhimin e kredibilitetit të çdo gjëje në tërë Kosovën, qoftë edhe si kamerier nuk të besohet për kafen, qoftë edhe si mjek nuk të besohet për diagnozën. Por, këto nuk janë, besoj e kuptojmë të gjithë ne që nuk jemi në Vetëvendosje, këto nuk janë strategji dhe korrupsion i PDK-së dhe as të ndonjë partie tjetër, dhe as të UNIMIK-ut bile. Nuk janë sepse secili mjek ka pasur mundësinë të pasurohet kudo jashtë Kosovës, duke jetuar një jetë të lumtur, por kanë vendosur të jetojnë në Kosovën e pasluftës. Dhe për këtë arsye ata është dashur të pajtohen me pamundësinë dhe pamundësitë e kësaj jete në Kosovë, jo për këto 16 vite, por edhe për një kohë të gjatë në të ardhmen. Se është zgjedhje që e kanë bërë për shkaqe të dyshimta dhe pr shkaqe patriotike. Kurrë nuk do të korruptohej një patriot që është duke sakrifikuar me vetëdije. Dhe kjo do të thotë që vetë populli ka zgjedhur të korruptohet, kudo dhe kurdo, pa ndonjë qëllim (e di tërë atë që ka për të thënë Vetëvendosja është se sistemi i nënshtrimit nga qeveria i bënë të korruptohen, – klientelizmi- paj në tërë botën jetohet për këtë klietelizëm: që të kesh njëë rrogë dhe një siguri dhe ajo nuk zbulohet por ndërtohet me vite e dekada e me sakrifica pikërisht në mënyrën tepër të ngadalshme si po ebën Shpend Ahmieti në Prishtinë). Por problemi më i madh, edhe se i mjekëve, është tek gjyqet dhe sidomos tek Gjykata Kushtetuese. A ka një Gjykatë Kushtetuese në tërë botën që ka më pak besim se kjo e jona? Në kohën e bllokadës politike në Kosovë, verën e vitit të kaluar, Gjykata jonë Kushtetuese kishte dalë me interpretimin e saj (ndërmjet miliona interpretimeve të tjera dhe atë shumë më të “thella”). Dhe, nëse kam vetëm pak njohuri profesionale për kuptimin e një teksti të shkruar (kam diplomë profesionale për këtë gjë, kam dhe një karrierë të interpretimit të teksteve shumë të paqarta dhe shumë të vështira etj) interpretimi i vendimit për zhbllokimin verën e kaluar, për mua, ka qenë tërësisht i saktë. Qoftë edhe nëse Gjykata Kushtetuese ka qenë gabim, apo e marrë (literalisht) nga ndikimet politike, interpretimi i saj është tërësisht valid dhe i saktë ndërmjet edhe interpretimeve të tjera. Gjyqet kurrë nuk japin formula vendimesh para se të ndodh një ngjarje, askush, dhe asnjë ligj nuk mund ta supozoj një Vetëvendosje apo një Albin Kurti i cili në intervistën e tij më të rëndësishme thotë: unë jam edhe brenda sistemit edhe jashtë sistemit (gjë më absurde si logjikisht si në përvojë kurrë nuk kam dëgjuar, dhe tek e fundit pikërisht kjo e bën një prej të korruptuarve të Kosovës, sepse të gjithë të korruptuarit e Kosovës janë pikërisht të korruptuar për shkak se jetojnë edhe brenda edhe jashtë sistemit, në të vërtetë kjo u mundëson korrupsionin etj). Ligjet ligjet krijohen pas përvojave, dhe jo para tyre. Dhe pikërisht bllokada e dëshmoi këtë. Por ajo që bëri Vetëvendosja është se helmoi, shkatërroi dhe rrënoi tërë sistemin e shtetësisë së Kosovës, tërë kredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese duke dashur që kjo Republikl e Kosovës të mbronte interesat e armiqve të saj!!! Nodshta ajo e helmoi dhe e rrënoi kredibilitetin e saj pikërisht sepse nuk morri vota të mjaftueshme në zgjedhje. Pse të mos më lejohet edhe mua të helmoj pak. Dhe pikërisht sot askush nuk mund të vendos, ligjërisht si duhet vepruar me këta hedhës të gazit lotsjellës në kuvend, sepse pikërisht ata që gjuajnë gaz lotsjellës në kuvend janë nga Vetëvendosja. Nuk them se ka pasur një strategji, nuk jam aq analist i thellë si zonja e emancipuar e Vetëvendosjes, por ka një rend të gjërave këtu sidomos në të qenit brenda dhe jashtë sistemit. Vetëvendosja ka një filozofi: se ne mund të arrijmë një Kosovë të përkryer vetë apo edhe me ndihmën e të jashtmëve, por vetëm kur na duhen, jo kur duan ata. Tërësisht ngjashëm, të gjithë të majtit e botës sot mendojnë se Komunizmi është i arritshëm. Historitë e të dyjave, edhe e Kosovës e edhe e komunizmit na dëshmojnë një gjë: se nuk janë të mundshme ashtu si i duam ne. Së paku me këtë vetëdije që kemi ne njerëzit dhe ne Kosovarët. Asnjë prej të gjitha korrupsioneve në Kosovë nuk do të kishin ndodhur po të mos kishim dashur ne që ato të ndodhnin. Asnjë prej masakrave të Komunizmit në histori të botës nuk do të kishin ndodhur po të mos kishin dashur pikërisht komunistët që ato të ndodhnin. Asgjë në këtë botë nuk ndodh pa pjesëmarrjen tonë, të njerëzve, dhe të ne kosovarëve në Kosovë. Qoftë edhe me apatinë tonë si njerëz dhe si kosovar, ne i bëjmë që të ndodhin gjërat. Qoftë edhe me revolucionaritetin si ai i zonjës së emancipuar të Vetëvendosjes që i njeh në detaje kushtet e punës së Kancelares Merkel, ne korruptojmë vazhdimisht jetën në Kosovë. Apo, ndoshta, vetëm ndoshta, pikërisht revolucionariteti i Vetëvendosjes, në këtë kohë të një lirie të padyshimtë dhe të pakrahasim në Kosovë, në tërë historinë e Kosovës si territor, është korrupsioni më i madh i mundshëm.

scroll to top