Vetoja bullgare nxit urrejtje në Maqedoninë e Veriut

bullgari2.jpg

Vetoja bullgare për kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, ka rritur si asnjëherë më parë tensionet ndërmjet dy vendeve, në veçanti gjuhën e urrejtjes, të përcjellë me fyerje të rënda, sidomos ndaj shefes së diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva, nga opinionistë, por edhe zyrtarë institucionesh.

Një ndër ta është edhe Zoran Ivanov, kryetar i Këshillit mbikëqyrës të Agjencisë Informative Maqedonase (MIA), i cili në dy postime në rrjetin social Facebook, përdori fjalor të ulët, jo vetëm për Zaharievën por edhe për ish-ministren e Jashtme të Greqisë, Dora Bakojani.

Ndaj kësaj ka reaguar ministrja e Jashtme e Bullgarisë duke theksuar se ajo që po ndodh me gjuhën e urrejtjes në Maqedoninë e Veriut kohët e fundit, është një turp i madh.

“Si grua, e urrej gjuhën dhe seksizmin e tyre. Seksizmi ballkanik nuk ka vend në Bashkimin Evropian”, ka thënë Zaharieva, në një intervistë për televizionin bullgar, NOVA.

“Kjo është arsyeja kryesore që ne nuk themi ‘po’ tani për kornizën negociuese. Për 30 vjet, jo vetëm që keni toleruar, por edhe keni stimuluar një politikë shtetërore të bazuar në urrejtje ndaj popullit bullgar dhe Bullgarisë, andaj nuk mund të jeni gati të filloni negociatat për anëtarësimin në BE. Kjo është në kundërshtim me vlerat evropiane. Ky është argumenti ynë ”, ka deklaruar Zaharieva.

Ajo ka akuzuar zyrtarët maqedonas për ndërprerjen e punës së komisionit historik, duke shkelur marrëveshjen e vitit 2017.

Për të zbutur tensionet në ngritje e sipër, kryeministri Zoran Zaev ka shkarkuar nga detyra Zoran Ivanovin, autorin e shkrimeve fyese ndaj zyrtareve bullgare e greke, ndërsa disa të tjerë kanë fshirë postimet në rrjetet sociale.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka thënë se Maqedonia e Veriut është e përcaktuar për retorikë miqësore, retorikën e dialogut dhe jo të nxitjes së konflikteve.

“Ne duhet të përmbahemi pasi jemi miq me Bullgarinë dhe sa do që të jetë e vështirë dhe e dhimbshme, këtë që e ndiejmë si padrejtësi ndaj nesh, megjithatë duhet të gjejmë zgjidhje evropiane përmes dialogut duke u mirëkuptuar mes vete për pozicionet, ne për ato bullgare dhe ata për pozicionet maqedonase, që të mund të gjejmë zgjidhje. Kjo është mënyra e vetme për të arritur qëllimin”, ka deklaruar Zaev.

Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se çështja nuk është edhe aq e rëndë siç e paraqesin zyrtarët bullgarë. Ai thotë se gjuha e urrejtjes nuk është e pranishme te zyrtarët shtetërorë, e aq më pak në 30 vjetët e fundit, siç pretendojnë autoritetet në Sofje.

“Ndoshta ka një gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale, por ajo sigurisht se nuk po zgjat tani 30 vjet siç insistonte shefja e diplomacisë bullgare. Përmes një politike të tillë, bullgarët tentojnë që gjithë fajin të na e hedhin neve. Por, kjo nuk qëndron pasi ne shumë herë kemi dëshmuar, edhe si shtet, por edhe si maqedonas, si shqiptarë, e si të tjerë që jetojmë këtu, se ne e respektojmë fqinjin tonë lindor. Është e papranueshme që politika e jashtme e një shteti të ndërtohet mbi qëndrimet që shkruhen në rrjetet sociale”, thotë Dujovski.

Në rrjetet sociale të enjten është publikuar edhe një video ku duket një person me simbole të VMRO-së duke djegur flamurin bullgar. Dujovski thotë se ky është një provokim i rëndë nga qarqe që nuk ia duan të mirën vendit, por që udhëhiqen nga agjenda të caktuara politike.

Përplasjet ndërmjet Shkupit dhe Sofjes nisën pasi të martën Bullgaria bllokoi Maqedoninë e Veriut që të nisë bisedimet e anëtarësimit, pasi kërkon që autoritetet maqedonase të pranojnë se si identiteti, ashtu edhe gjuha e saj kanë rrënjë bullgare, kërkesë kjo e cila jo vetëm që është kundërshtuar në Maqedoninë e Veriut, por zyrtarët sikurse dhe opozita, kanë thënë se kërkesat e tilla asnjëherë nuk mund të jenë tavolinën e bisedimeve./REL

scroll to top