Vjedhja e fondit të ilaçeve me rimbursim, Prokuroria çon në Gjykatë 9 persona

9 persona, ndër të cilët zyrtarë të Fondit Rajonal të Kujdesit Shëndetësor  të Tiranës dhe drejtues farmacish, të përfshirë në një skemë mashtruese financiare me rimbursimin e medikamenteve, do të dërgohen për gjykim.

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për skemën nga e cila i është shkaktuar shtetit dëm rreth 56 milionë lekë. Në krye të saj ishin Hysni Roçi, pronar i disa farmacive në kryeqytet, si edhe ish-drejtori rajonal i Fondit, Pjerin Xhuvani.

Ata kishin përfshirë në veprimtari të paligjshme edhe 4 drejtues teknik farmacish dhe 3 punonjës të Fondit Rajonal të Tiranës.

Hysni Roçi u kishte marrë liçensat drejtuesve teknikë të farmacive “Lundër”, “Bërzhitë”, “Adelina” dhe “Nutrimed”, me qëllim përfaqësimin e tyre në raportet me Fondin Rajonal të Kujdesit Shëndetësor për përfitimin e rimbursimit të ilaçeve. Nga hetimi ka rezultuar se këto farmaci, gjatë periudhës  shtator 2014 – mars 2015, kishin përfituar shuma të konsiderueshme nga rimbursimi fiktiv i ilaçeve.

Nga ana tjetër Pjerin Xhuvani, në cilësinë e Drejtorit Rajonal të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, kishte urdhëruar zyrtarë të tij për të formuluar akte fiktive kontrolli mbi farmacitë e sipërcituara dhe në përfundim, i ka nënshkruar aktet e kontrollit, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë rimbursimit të padrejtë këtyre subjekteve private.

Po ashtu, edhe zyrtarët e Fondit, të marrë të pandehur në këtë procedim, pavarësisht se ishin në dijeni të plotë të veprimeve të kundërligjshme, kanë nënshkruar akte kontrolle fiktive për farmacitë, duke lejuar në këtë mënyrë përfitimin e padrejtë të rimbursimit monetar për këto subjektet private.

scroll to top