VMRO-ja insiston në zgjedhje të parakohshme parlamentare

vmro-1.jpg

VMRO-DPMNE-ja kushtëzon Qeverinë me zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidenciale. Në rast se shumica nuk pranon kërkesat e opozitës, partia e Hristijan Mickoskit nuk përjashton mundësinë e bojkotimit të punimeve të Kuvendit dhe zgjedhjet presidenciale. Sipas Igor Janushev, opozita ka mjaft arsye që të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Bojkoti është njëri ndër opsionet. Për momentin të gjitha opsionet janë të hapura. Nuk do të doja të shpejtoja për hapat që do t’i ndërmarrim. Të shohim si fillim se si Qeveria po përgjigjet në kërkesat tona. Nga ajo që kemi dëgjuar, LSDM është shprehur se opsioni edhe atje është i hapur. Të shohim se si do të ecin gjërat në periudhën që vijon dhe mbi bazën e kësaj do t’i ndërtojmë hapat tonë të ardhshëm. Shpresojmë se LSDM-ja dhe Zaev do ta pranojnë kërkesën tonë sepse vetë kanë theksuar se fokusi i tyre është në ekonomi. Nëse vërtetë duan ekonomi, atëherë neve konsiderojmë se zgjedhjet janë mundësi e mirë në të cilat VMRO-ja do ta fitojë dhe 2019 të jetë vit ekonomik – tha Igor Janushev, Sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

LSDM-ja ndjehet e befasuar nga paralajmërimi i opozitës për bojkot të Kuvendit dhe zgjedhjeve presidenciale. Nënkryetari socialdemokrat, Damjan Mançevski theksoi se në organet e partisë po shqyrtohen të gjitha opsionet.

Absolutisht vlen që të shqyrtohen të gjitha argumentet për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhje gjithsesi se do të ketë në Maqedoni, por çështja është nëse mund të organizohen bashkë me ato presidenciale. Organet e LSDM-së do ta shqyrtojnë këtë opsion dhe do ta kumtojmë qëndrimin tonë. Por them se argumente për zgjedhje ka. Unë di që Mickoski thoshte se do të fitojë, por tani edhe ai e ka të qartë se cila është situata e tij tek qytetarët dhe se nuk kanë shanse të fitojnë as në presidenciale dhe as në parlamentare. Është moment i ri bojkoti dhe neve do ta shqyrtojmë këtë në organet tona partiake – u shpreh Damjan Mançevski, nënkryetar i LSDM-së.

Mançevski shton se me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare procesi reformues nuk do të ngecë, por vendi do të humbë shumë në aspektin e zhvillimit ekonomik. Opozita nga ana tjetër njëra ndër arsyet për zgjedhje parlamentare e shef dëshminë e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, investimet kapitale, dështimin e reformave dhe mbi gjitha, siç thonë ata zbatimin me dhunë të procesit të ndryshimeve kushtetuese.

scroll to top