Vuçiq: Po e pres propozimin për Kosovën

vucic-1.jpg

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se heqja e masave të reciprocitetit krijon hapësirë për dialogun me Kosovën.

Ai tha se po e pret ardhjen e përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak, në Beograd dhe Prishtinë pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi.

Vuçiq po ashtu tha se ka hequr dorë, nga siç u shpreh ai, nismat e mëdha për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe është duke pritur propozimin.

“Kjo gjë e hapë mundësinë që ne të fillojmë bisedimet, nëse ajo masë mbetet për më shumë se disa ditë dhe besoj se nuk është çështje përndjekjeje dhe rivaliteti në mes të dy palëve, por një çështje thelbësore, çështje e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, një nga liritë më të rëndësishme të botës moderne, dhe besoj se do të ketë një efekt të mirë në ekonominë e Beogradit dhe Prishtinës, do të ketë një efekt të mirë te njerëzit. Pra, jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët, kjo do të krijojë një lloj kornize në mënyrë që komunitetet tona të biznesit të mund të bashkëpunojnë më mirë. Sigurisht, kjo do të hapë mundësinë e dialogut politik në mes nesh”.

Vuçiq ka folur edhe rreth asaj se si e sheh rolin e Amerikës dhe atë të BE-së kur bëhet fjalë për dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës.

“Pa marrë parasysh se si e shoh unë apo çfarëdo që mendoj për të, do të pajtoheni se nuk është e logjikshme për mua të flas publikisht sepse është… ne jemi në rrugën evropiane dhe nga ana tjetër Amerika është fuqia më e madhe në botë, dhe tani ju prisni nga unë që të kundërshtoj njërën ose tjetrën. Ne jemi shumë të vegjël për të qenë në gjendje të bëjmë një gjë të tillë dhe të kemi të drejtë ta vendosim Serbinë në një pozitë më të vështirë. As që e mendoj një gjë të tillë. Ne flasim me të gjithë. Për ne më të rëndësishëm janë gazetarët, jo ju, por shumë gazetarë që kanë folur me ne gjithmonë, kanë folur për çështje teknike –kur do të vijë data, kur do të flisni, por askush nuk flet për thelbin”.

Ai theksoi se në dialog duhet të hyjnë me mirëbesim dhe të jenë të gatshëm për kompromis.

“Sa herë që flisni për vijat e kuqe, atëherë nuk jeni të gatshëm për biseda. Kjo nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë, por kur filloni të flisni për to ashtu si pala shqiptare që thotë:“Jo, jo, ne… e gjithë Kosova është e jona, kështu që do të marrim edhe Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, pak më shumë”. Unë vetëm pres që ata të thonë se do ta marrin edhe Kragujevcin dhe Kralevën. Sinqerisht, buzëqesh dhe vazhdo tutje. Kur hyni në një dialog, hyni me mirëbesim dhe jeni të gatshëm të bëni kompromis. Nëse kjo gjë do të bëhet e mundur, do të shohim”, ka thënë Vuçiq për REL.

scroll to top