VW heq “Das Auto” nga logoja

Slogani i Grupit Volkswagen është viktima më e re e skandalit me emetimin e gazrave te automobilat e kompanisë gjermane.

Sipas Reuters, Volkswagen do të largojë thënien “Das Auto” (Automobili), të cilën e lansoi në vitin 2007. Ky slogan tani po konsiderohet i panevojshëm me përuljen që ka përjetuar kompania.

“Das Auto” do të “vdesë” dhe do të zëvendësohet thjeshtë me moton e re që është “Volkswagen”. Zyrtari i kompanisë, për Reuters, ka konfirmuar se ky mesazh së shpejti do të shpërndahet në gjithë botën.

Vendimi për të larguar “Das Auto” raportohet se është diskutuar javën e kaluar në takimin e 2 mijë menaxherëve. Një person që ishte pjesë e mbledhjes ka njoftuar se Herbert Diess, drejtori i brendit Volkswagen, ka thënë se kompania ka dështuar të mbajë veten si lidere të automobilizmit.

Volkswagen është duke u përpjekur të rindërtojë imazhin e saj dhe së shpejti pritet t’i aprovohen pajisjet për rregullim të modeleve të prekura nga skandali.

scroll to top