Xavi e pranon: Është e vërtetë, e refuzova Barcelonën

XAVI.jpg

Xavi Hernandez ka dhënë një intervistë për ta sqaruar pse e refuzoi ofertën e ëndrrave për t’u bërë trajner i Barcelonës, duke vendosur të qëndrojë të paktën deri në fund të sezonit në Al Sadd.

Ish-trajneri i Real Betisit, Quique Setien, u emërua trajner i Barcelonës pas shkarkimit të Ernesto Valverdes, i cili kishte qenë në presion të madh që nga eliminimi i Barcelonës nga Atletico Madridi në Superkupën e Spanjës, transmeton Gazeta Express.

Mediat botërore raportojnë se Barcelona fillimisht dëshironte ta emëronte Xavin për ta zëvendësuar Valverden, mirëpo trajneri aktual i Al Saddit bëri të ditur se kthimi i tij në Barcelonë mund të ndodhë vetëm gjatë verës.

Megjithatë, Setienit i është dhënë kontratë deri në fund të sezonit 2021/22 – duke i ulur gjasat që Xavi të kthehet në Camp Nou në fund të këtij sezoni.

Pata një ofertë nga Barcelona, ku u kontaktova nga Eric Abidal dhe Oscar Gray, por nuk e pranova atë. Motivi për mua është i thjeshtë. Nuk jam ende gati për të drejtuar një klub të madh si Barcelona, por kjo do të jetë ëndrra ime për të ardhmen”, tha Xavi.

Për gjithçka ndodhi ato ditë kam kontaktuar edhe me familjen time dhe më pas kam mbajtur kontakte edhe me skuadrën time të Al Saad. Lojtarët dinin gjithçka dhe më shihnin të dyjëzuar. Për 3 ditë nuk kam qenë në pozita të lehta, përkundrazi. Gjithsesi, tani gjithçka kaloi dhe jam përqendruar te skuadra ime”, u shpreh Xavi.

Por, presidenti Bartomeu është shprehur i bindur që Xavi do të kthehet në Camp Nou ndonjë ditë.

“Dera është e hapur për shumë trajnerë, por tanimë ne e kemi një trajner, Quique Setienin”, ka thënë Bartomeu, në një intervistë të dhënë për të përditshmen spanjolle Sport.

“Ai ka nënshkruar kontratë për dy vjet e gjysmë dhe unë ia kam sqaruar klauzolën në kontratë shkaku i zgjedhjeve të vitit 2021. Nëse një president i ri vjen dhe dëshiron ta ndryshojë trajnerin, ai mund ta bëjë këtë”.

“Por, natyrisht, Xavi do të jetë trajner i Barcelonës një ditë, nuk kam asnjë dyshim. Ai është shumë i aftë, ai është një person që e kupton plotësisht futbollin tonë. Ka shumë qejf ta bëjë këtë punë dhe një ditë do ta bëjë”.

“Por, tani e kemi Quique Setienin dhe mendoj dhe shpresoj se gjërat do të shkojnë me të vërtetë mirë sepse ai ka ardhur shumë i motivuar dhe ka thënë se do ta ndjekë filozofinë dhe stilin tonë të lojës”.

Ndeshja e parë e Setienit si trajner i Barcelonës do të jetë të dielën kundër Granadas, në La Liga. /Gazeta Express/

scroll to top