Ylli i Shqipërisë: Shpresoj ta mposhtim Turqinë

shqiperiaa_1496783563-3498298.jpg

Sokol Çikalleshi uron që përfaqësuesja shqiptare të arrijë të sigurojë një rezultat pozitiv ndaj Turqisë, për të nisur me këmbën e mbarë rrugëtimin e saj në Euro 2020.

Në një prononcim për “SuperSport”, sulmuesi i cili njeh mirë Turqinë pasi aktivizohet në kampionatin turk prej disa vitesh, ka treguar edhe për një telefonatë me një nga ish-shokët e skuadrës te Beshiktash, Emre, i cili është kthyer përsëri në ekip.

“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy kombëtaret. Unë jam në fazën e rikuperimit nga një dëmtim që kisha, pësova dëmtim në kofshe që më bëri të rri rreth një muaj jashtë. Fatkeqësisht ndodhi në moment delikat si për mua, Kombëtaren dhe ekipin e situatën që ndodhemi në klasifikim. Por jemi mësuar se futbolli ka të papritura dhe çdo gjë e presim me qetësi.

Meqë kam qenë pjesë e Bashakshehir dhe në listën e saj janë 4-5 lojtarë të kësaj skuadre, ka ndodhur edhe një kthim i bujshëm, ai i Emre. Pas një bisede që kisha me të, e urova për kthimin në kombëtare. I thashë që jam i lumtur për ty por i thashë që e ke kundër Shqipërisë dhe uroj të mos dilni me rezultat pozitiv atje. Mendoj që kjo ndeshje është ndër më të rëndësishmet në këtë grup, pasi Turqinë e kemi rivalin direkt dhe duke e nisur mbarë ndeshjen e parë, mendoj se është ogur i mirë për vazhdimësinë.

Më vjen mirë për Sadikun sepse pas dëmtimit të gjatë që kishte dhe për një futbollist dëmtimi është gjëja më e padëshiruar dhe që i pret krahët. Momentin që u rikthye me gol, edhe e urova dhe uroj që të jetë një kthim me vlerë dhe ta ndihmoj kombëtaren siç ka bërë këto vitet e fundit. Sigurisht do të doja të isha pjesë e listës por meqë isha i dëmtuar ishte e pamundur. Jam i sigurt që të gjithë ata që janë në listë do të bëjnë të pamundurën për rezultate pozitive dhe që me Turqinë të arrijmë rezultatin që duhet”, tha Çikalleshi.

scroll to top