Zona e Lirë Ekonomike në Tetovë, Neziri: presim 2500 punësime në “Lear”

Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, i shoqëruar nga drejtori i Agjencisë për investime të huaja, Visar Fida, zëvendës-drejtori i Drejtorisë së Zonave teknologjike zhvillimore industrial, Asip Useini, si dhe nga drejtori i inspektoratit shtetëror teknik Ekrem Bunjaku, vizitoi Zonën Teknologjike Industriale Zhvillimore në Tetovë për të parë nga afër punimet e deritanishme në këtë zonë ekonomike, më konkretisht për pjesën që duhet të ndërtohet për Kompaninë amerikane “Lear”, ku pritet punësimi i 2.500 personave.
“I informuam për së afërmi për të gjitha aktivitetet e realizuara deri më tani, me theks të veçantë rreth implementimit, respektivisht realizimit të projektit më gjigant që e kemi në kuadër të Zonës Ekonomike të Lirë në Tetovë, që është projekti i ‘Lear’-it”- deklaroi drejtori i Zonës Ekonomike-Tetovë, Arben Halili.
“Javën e kaluar, nga ana e Ministrisë së Ekonomisë u tha vendimi për aspektin përgatitor që të mund të fillojë ndërtimi dhe besoj që deri ditën e premte të kësaj jave do të marrin edhe lejen për ndërtim. Ajo për të cilën u morëm vesh me partnerin privat është që deri më 15 maj segmenti i kapacitetit të ‘Lear’-it në aspekt të prodhimit të jetë i ndërtuar dhe kuptohet konformë marrëveshjes ose konformë lejeve të cilat i kanë të marra nga Ministria e Ekonomisë dhe nga Qeveria”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Kompania amerikane “Lear” fillimisht ka paralajmëruar punësimin e 800 punëtorëve në fazën e parë, që pritet të jetë nga maji i vitit të ardhshëm, por ky numër do të rritet në 2500 deri në vitin 2015, kur fabrika të fillojë punë me kapacitet të plotë.

scroll to top